Myftiu, i ftuar në emisionin “Tonight” në Star Plus Tv

Ditën e martë, më 7 qershor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ka qenë i ftuar i gazetarit Erzen Koperaj, në emisionin e tij "Tonight", në Star Plus Tv.

Për mbi një orë, Myftiu i Shkodrës i është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarit, duke u përqendruar tek mirësia e Muajit Ramazan, shpirti i bamirësisë dhe kthimi nga Zoti dhe shpjegimi i kuptimeve të kësaj mirësie të madhe për individin dhe shoqërinë.

Myftiu iu përgjigj edhe pyetjeve mbi sfidat e Islamit në kohët tona, Ramazani si një mundësi kthimi nga Zoti dhe feja, a është shoqëria shqiptare sot, neglizhente ndaj fesë, a ekziston fryma e harmonisë ndërfetare, apo njerëzit janë mospërfillës ndaj besimit, a ka përplasje në mes demokracisë dhe Islamit, cilat janë disa nga sfidat e familjes së shëndoshë islame dhe shqiptare sot, sa reklamohet dhe përhapet në masë atmosfera e Muajit Ramazan etj.

Myftiu ka shpjeguar se Islami nuk ndahet në etiketime të padenja për të, porse ai përfshin çdo detaj të jetës, duke përhapur moralin e besimit dhe frikën e Zotit në jetë.

Myftiu tha se familja e sotme tradicionale shqiptare, ajo e traditave të vyera kombëtare, është e kërcënuar nga politikat e gabuara, që po e degradojnë ditë pas dite shoqërinë shqiptare. Ai iu referua ngjarjeve të kohëve të fundit, ku krimi në familje dhe hutimi i rinisë përbëjnë një krizë të thellë të moralit dhe besimit në shoqëri.

Myftiu ka kërkuar që institucionet lokale dhe vendore duhet të shpenzojnë për zbukurimin e qytetit dhe ndezjen e atmosferës me rastin e muajit të agjërimit. Njëkohësisht ka ftuar bizneset dhe tregtarët që të ulin çmimet për Ramazan, ta reklamojnë atë dhe të mos kenë ndrojtje e frikë për ta dëshmuar besimin dhe fenë e tyre, sidomos në këto ditë!

Përtej të gjithave, Myftiu theksoi se ai është optimist se ky shekull është shekulli i Islamit dhe se përhapja në masë, sidomos në perëndim, e mësimeve të Kur'anit, është treguesi më i mirë i kësaj vërtetësie.

Emisioni ritransmetohet ditën e mërkurë, më 8 qershor 2016, ora: 13.00 në Star Plus Tv.