Miq dhe vizitorë urojnë festën e Fitër Bajramit

Ditën e parë të Fitër Bajramit, të martën, më 4 qershor 2019, pas kryerjes së ceremonisë dhe faljes së Fitër Bajramit në xhamitë e qytetit, Myftinia Shkodër organizoi pritjen tradicionale të miqve dhe vizitorëve, me rastin e kësaj feste të begatë për mbarë besimtarët myslimanë.

Pritja tradicionale me këtë rast u zhvillua në ambientet e xhamisë së Parrucës, ku miq dhe vizitorë të shumtë, duke nisur nga drejtuesit më të lartë të institucioneve fetare të Shkodrës, drejtues të institucioneve vendore e lokale, deputetë, intelektualë dhe besimtarë të shumtë, vinin për të uruar festën e Fitër Bajramit.

Përmes bisedave të ngrohta, miqtë dhe vizitorët e shumtë shprehën urimet e ngrohta dhe lutjet e tyre, që Zoti ta pranojë agjërimin dhe adhurimet e gjithë besimtarëve, e t’u japë mirësi e begati Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.

Pritje tradicionale me rastin e festave të ndryshme fetare, nxjerr në pah vlerën e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, si një gjurmë e traditës së respektimit të fesë së tjetrit, veçanërisht në këto ditë, kur mbarë bota islame gëzon dhe feston Fitër Bajramin.