Myftiu takoi imamët në atmosferën e Mevludit Sherifë

Paraditën e së mërkurës, më 6 nëntor 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, takoi imamët e Shkodrës në mbledhjen e tyre të radhës, që përkon edhe me atmosferën e muajit Rebiul-evvel, në të cilin mbarë bota islame e përkujton ditën e Lindjes së Begatë të Mëshirës së dhuruar për gjithësinë, Hz. Muhammedin (a.s.).

Gjatë takimit u dhanë disa udhëzime, që lidhen me aktivitetin dhe gjallërimin e xhamisë, sidomos më kohët e sfidave të mëdha, shërimi i të cilave gjendet i garantuar në fjalët dhe shembullin e Hz. Muhammedit (a.s.).

Myftiu udhëzoi që hytbeja e xhumasë së datës 8 nëntor 2019 të jetë unike në të gjitha xhamitë e Shkodrës, kushtuar shembullit të përsosur të Hz. Muhammedit (a.s.) dhe dërgesës së tij mëshirë për botët.

U diskutua edhe aktiviteti i xhamive në fshat, rrugët për afrimin e mëtejshëm të rinisë dhe shtimin e takimeve me dobi për brezin e ri.

U lajmërua edhe fillimi i ciklit 9 javor të hytbeve që do të mbahen nga H. Bashkim Bajraktari, në disa xhami të qytetit dhe fshatit, sipas një programi të përgatitur nga Myftinia Shkodër.