Mirënjohje për imamin e xhamisë së fshatit Bardhaj

Ditën e xhuma, më 29 maj 2020, pas përfundimit të namazit të kësaj dite, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, falënderoi besimtarët e pranishëm në xhaminë e fshatit Bardhaj, për përkushtimin e tyre dhe lidhjen me xhaminë dhe aktivitetin e saj.

Myftiu theksoi se këshilli i xhamisë dhe krejt besimtarët që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të shërbejnë për të mirën e kësaj xhamie, në të vërtetë janë lartësuar në pozitën e Hz. Ibrahimit dhe të birit, Hz. Ismailit, të cilët, Zoti i gjithësisë i caktoi që t’i shërbenin Qabes së Madhnueshme dhe ta pastronin atë për ata që bëjnë tavaf e që falen në të!

Ai falënderoi në mënyrë të veçantë imamin e kësaj xhamie, H. Ilir Dizdari, i cili ka shërbyer me përkushtim të madh, duke e gjallëruar këtë xhami, duke afruar rininë, duke përhapur mirësi e paqe, harmoni e besim në komunitet.

Me këtë rast, i dorëzoi atij një “Certifikatë Mirënjohjeje”, për kontributin e vyer në përhapjen e mësimeve islame, për afrimin e rinisë, ruajtjen e frymës së harmonisë ndërfetare dhe edukimin e brezit të ri me frymën e udhëzimit islam, në detyrën e tij si imam i xhamisë së fshatit Bardhaj.

Nga ana e tij, imami i nderuar shprehu falënderimet e tij për Myftiun dhe Myftininë Shkodër, sikurse falënderoi këshillin e xhamisë, besimtarët dhe nxënësit e shumtë për frymën e bashkëpunimit dhe dashamirësisë, me të cilën është ndërtuar kjo xhami dhe aktiviteti i saj.