Myftiu me imamët: “Do të durojmë, por me dinjitet!”

Ditën e enjte, më 4 qershor 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim me një grup imamësh të qytetit dhe fshatit, të cilëve iu drejtua me një këshillë fetare, që lidhet me misionin e imamit në shoqëri.

Gjatë takimit, që vjen edhe pas Muajit të Begatë të Ramazanit, Myftiu falënderoi imamët për sakrificën dhe përkushtimin e tyre, por kërkoi që angazhimi i imamit të jetë më i madh dhe më aktiv në shoqëri.

Myftiu kërkoi nga imamët që të mos mjaftohen me shërbimet e caktuara brenda xhamisë, por të kryejnë obligimin e Thirrjes Islame edhe jashtë dyerve të xhamisë, në lagjet e fshatrat ku shërbejnë, në takime e ndeja me njerëzit, sidomos me muslimanët jopraktikantë.

Myftiu tha se dita-ditës hasen vështirësi, pengesa, dashakeqësi, përballje me injorancën dhe fanatizmin, gjithandej. “Do të durojmë, por me dinjitet! Do të durojmë, se kjo është tradita e më të mirit të krijesave të All-llahut, por do të ruajmë dinjitetin dhe krenarinë tonë, duke mos u përulur para padijes, fanatizmit të verbër, mungesës së respektit, cënimit të shenjtërive, cytjeve të shejtanëve, etj. Do të flasim e do të mbrojmë me dinjitet vlerat tona, pa asnjë hezitim e pa asnjë mëdyshje!”, – tha ndër të tjera Myftiu.

Në takim u fol edhe për aktivitetet në vijim si dhe domosdoshmërinë e hedhjes pas krahëve të frikës dhe panikut paralizues të jetës, që mbajti të mbyllur botën për ditë e muaj.

Udhëzime me vlerë për aktivitetin e kurseve të xhamive tona dha edhe përgjegjësi i sektorit të arsimit, teologu Arben Halluni, i cili foli për periudhën e re, pas riaktivizimit të jetës fetare në xhamitë e Shkodrës.