“Jeta e Pejgamberit (a.s), rëndësia e studimit të saj në aktivitetin e thirrësit islam”

Paraditën e së hënës, më 28 shtator 2020, u zhvillua takimi i pestë i trajnimit 10 javor me imamët e Myftinisë Shkodër.

Ligjërata e kësaj dite u mbajt nga teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, i cili trajtoi temën me titull: “Jeta e Pejgamberit (a.s), rëndësia e studimit të saj në aktivitetin e thirrësit islam”.

Gjatë trajtimit të kësaj teme, imami i nderuar vuri theksin tek domosdoshmëria e njohjes së mirë dhe studimit në detaje të Jetës Profetike për thirrësin islam, i cili ka mbi supe një barrë të rëndë, në shërbim të komunitetit dhe në përpjekjet e vazhdueshme për të paraqitur vlerat e Thirrjes Islame me urtësi e korrektësi.

Duke sjellë shembuj konkretë nga jeta e të Dërguarit të All-llahut (a.s), teologu Hamja shpjegoi se si metoda e thirrjes islame mundet të japë frytet e saj duke u bazuar pikërisht tek metoda e Pejgamberit (a.s) në kumtimin e Shpalljes dhe përhapjen e Islamit. Sepse, qëllimi i studimit të Jetës Profetike është, që mësuesi dhe thirrësi islam të kenë shembull të gjallë, të Dërguarin e All-llahut, në rrugën e tyre të edukimit dhe të thirrjes islame.

Më pas, aktiviteti pasoi me ndërhyrjet, pyetjet dhe sugjerimet nga imamët e pranishëm.

Gjithashtu, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pasi falënderoi ligjëruesin, solli disa mendime me vlerë rreth domosdoshmërisë së leximit dhe mirëkuptimit të jetës së Resulull-llahut (a.s) nga dijetari dhe studiuesi i mirënjohur damasken, Dr. Mervan Shejkhulerd.

Ai njëkohësisht dha disa këshilla që kanë të bëjnë me aktivitetin e imamëve dhe frymën e bashkëmpunimit, bazuar mbi frymëzimet që jep studimi i biografisë së Hz. Muhammedit (a.s).