Vizita historike e Imamit të Qabes së Madhueshme në Shkodër

Ditën e mërkure, më 6 korrik 2016, qyteti i Shkodrës u begatua me vizitën historike të Imamit të Qabes së Madhnueshme, Shejkh Salih Al Talib, i cili ndodhet në Shqipëri me ftesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Në pritje të mysafirit të shtrenjtë ishte Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, imamë e teologë, besimtarë të shumtë e qytetarë shkodranë, por edhe vëllezër të nderuar të ardhur nga Kosova dhe Mali i Zi.

Imami i nderuar i Qabes së Madhnueshme drejtoi fillimisht faljen e namazit të akshamit me xhemat në xhaminë e Parrucës, që ishte tejmbushur nga prania e madhe e besimtarëve dhe besimtareve, një pjesë e mirë e të cilëve u detyruan të falen jashtë faltores.

Më pas, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në përshëndetjen e tij theksoi se sot, është një datë dhe ditë historike për Shkodrën, që mirëpret në zemrën e saj, Imamin e nderuar të Qabes së Madhnueshme, Shejkh Salih Al Talib.

Myftiu tha se kjo vizitë historike ia shton dritën dhe madhështinë këtij Fitër Bajrami, që njëkohësisht dëshmon madhështinë e rimëkëmbjes së vkerave islame në Shkodër.

Më pas, ai ftoi Mikun e nderuar të mbajë një fjalim përpara pjesëmarrësve të shumtë, që prisnin me padurim fjalën e Imamit të dashur.

Në fjalimin e tij, Shejkh Salih Al Talib, shprehu fillimisht gëzimin e tij për praninë në Shkodër, sikurse përcolli urimet dhe lutjet e tij me rastin e Fitër Bajramit.

Imami i Qabes së Mashnueshme dha disa mesazhe me shumë rëndësi që kanë të bëjnë me rrugët e fitimit të lumturisë së kësaj bote dhe të përtejmes, nëpërmjet besimit dhe veprave të mira.

Ai theksoi se muslimani është njeri i ruajtur, i distancuar nga shkaqet e dhunës, terrorit dhe shkeljes së të drejtave të tjerëve dhe, se çfarë dëshmohet sot në botën islame nga dhuna dhe terrori, nuk ka lidhje as me Islamin, as me moralin dhe vështrimet e muslimanit për jetën.

Imami i nderuar tha se, historikisht, jomuslimanët nuk kanë dëshmuar trajtim më të drejtë dhe plot tolerancë, sesa ai i muslimanëve. Për këtë, ai iu drejtua jomuslimanëve që të lartësohen në këtë nivel të qytetëruar në marrëdhënien e tyre me muslimanët.

Imami i nderuar theksoi se Islami ka ardhur si mëshirë për mbarë botrat; muslimanë dhe jomuslimanë dhe, se detyra e muslimanëve sot, është angazhimi maksimal për përhapjen me krenari dhe kurajo të moralit islam nëpërmjet veprave konkrete.

Shejkh Salih Al Talib bëri thirrje që rinia islame e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë të kapet fort pas fesë islame dhe udhëzimeve të saj, duke lexuar shumë dhe duke pyetur njerëzit e ditur dhe specialistët e diturive islame.

Imami dha sihariq, se Islami po përhapet masivisht, sot në botë dhe, se sprovat e kohëve të fundit po e zgjojnë vëmendjen e ymmetit drejt rimëkëmbjes dhe rikthimit tek rrugët e vlerave historike shekullore islame.

Pas përfundimit të ligjëratës, Imami i nderuar i Qabes së Madhnueshme dhe Myftiu i Shkodrës këmbyen dhuratat simbolike të këtij takimi historik për Shkodrën dhe muslimanët e saj.

Në dalje, Shejkh Salih Al Talib u takua me shumë e shumë besimtarë, që e kishin rrethuar dhe përqafoheshin me shumë emocion dhe mall me Imamin e Qabes së tyre të shtrenjtë.

Në këtë vizitë, Imami i nderuar shoqërohej nga një delegacion i madh, ku bënte pjesë edhe H. Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSh-së dhe z. Hamdi Çurri, drejtor i Drejtorisë së Haxhit she Marrëdhënieve me Botën Islame në KMSh.