Shkodër-Gostivar, një ditë prej atyre, që i japin jetës kuptime vlerash..!

 

Shkodër-Gostivar, një ditë prej atyre, që i japin jetës kuptime vlerash..!

1. Mbrëmjen e kaluar, u lajmërua për të lënduar të shumtë në një nga sheshet e Prishtinës, ku ishte organizuar një lloj feste rinore. (Për sqarim, “festa” në fjalë nuk kishte (as mund të ketë), as bosht kombëtar, as fetar, as intelektual, as kulturor, as human, as edukativ)…

Aty-këtu, lexova edhe ca komente grricëse nga misionarë zellshëm të islamofobisë dhe konvertimit të dhunshëm të muslimanëve, nëpërmjet kërcënimeve, cytjeve, sharjeve, fyrjeve dhe manipulimeve historike, që dekadat e fundit i dëgjojmë dhe i lexojmë pafundësisht tek ne… (Janë formuar krejt qartë, avanguarda e misionarëve dhe misionareve të shitjes primitive të shpirtit, sidomos në Kosovë, sikurse edhe në Shqipëri!?)

Natyrshëm, ndjeva keqardhje për ata të rinj shqiptarë të manipuluar, njësoj si keqardhja që ndjej, sa herë, taborrat e femohimit, afetarizmit, misionarët dhe shfrytëzuesit e varfërisë intelektuale dhe kulturore, fetare dhe qytetare, mundohen dhe përpiqen ta marrin për dore rininë e qytetit dhe vendit tim, drejt degradimit dhe shthurrjes, në emër të lirisë, rinisë së hapur, dëfrimit, argëtimit, kulturës e vlerave evropiane…

2. Sot, rrugëve të Kosovës, njerëzit ndiqnin ritet e përditshme të punës, vraponin për të shfrytëzuar kohën, për të fituar me djersën e ballit, për të ndërtuar një tokë e një vend, që qëndron shumë më lart se pjesa tjetër e trungut kombëtar, edhe pse s’ka shumë që ka dalë nga një luftë e padrejtë dhe një zullum historik!

U ndalëm në disa vende për të pushuar. Dikush nga ne kërkoi edhe për të ngrënë diçka të lehtë. Më tërhoqi vëmendjen përgjigjja e djemve të rinj, që shërbenin (në të gjitha rastet): “Jemi muslimanë, nuk përdorim mish haram, kos kini gajle!”, kur ndonjëri prej nesh pyeste rreth menusë...

Ndërkohë, nga njëri prej ekraneve të njohura të medias kosovare, po transmetohej një reportazh për zhvillimin dhe kultivimin e derrit në Kosovë. Mbajta frymën. Kujt i shërben kultivimi i derrit dhe ekspozimi i tij në televizionet publike, në një Kosovë muslimane? Kush do të ushqehet me mishin e kësaj kafshe, që është bërë haram edhe në Inxhil (lexo, në Biblën e sotme, edhe pse nuk janë e njëjta gjë) edhe në Kur’an; dmth, haram tek të krishterët, haram tek muslimanët?!

Bëra një lidhje me imponimet e misionarëve të jashtëm, medias dhe disa gazetarëve dhe analistëve që vegjetojnë kryelartë në ujrat e pragmatizmit dhe, përgjigjeve reale të djemve të rinj kosovarë, që shërbenin në restorante… Në përgjigjet e tyre preket e vërteta shekullore e pjesës dërrmuese të kombit tonë..!

3. Po prisnim radhën e makinave për të kaluar në pjesën tjetër të trojeve tona etnike, mbi të cilat valëvitej një flamur maqedon. (Kur e mendoj ndarjen e padrejtë historike të kombit tonë në disa shtete, më kujtohen kurdët e Salahudinit... S’e di se pse kam përshtypjen se kemi elemente të ngjashme në historinë tonë të dhimbshme, që gjithësesi ka një emërues të përbashkët: Islamin dhe shpërbërjen kombëtare për shkak të tij...)

Papritur, heshtjen e pritjes e theu me bukurinë e tij, një varg i gjatë makinash luksoze, mbi të cilat valëviteshin me dhjetra flamuj shqiptarë, kuq e zi. Ishte një kolonë e gjatë makinash, që shkonin, a ktheheshin nga një ceremoni e gëzueshme martese. Dukeshin si dasmorë të gëzuar… Ishin shqiptarë, prej atyre që mburren dhe krenohen me flamurin e vet, që nuk kompleksohen prej tij, që e duan atë dhe nuk e ndajnë për asnjë moment nga jeta e tyre…

Kaluan kufirin para nesh. Ne, ndiqnim me sy valëvitjen e flamurit tonë kombëtar, që zbukuronte horizontet e pjesës tjetër të vijës ndarëse ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë…

4. Gostivar. E dua këtë emër dhe nuk e di se ku qëndron tamam sekreti i madh, që lidh Shkodrën me Gostivarin. Por, di me siguri, se boshti thelbësor i kësaj lidhjeje është Islami, dhe këtu mbyllet historia.

Në ditët e para të rimëkëmbjes sonë islame, pas diktaturës së dhunshme ateisto-islamofobe dhe përpjekjeve shtetërore për zhveshjen e Islamit nga shpirti dhe ndërgjegjja shqiptare, intelektualë të shquar të fesë islame në Gostivar, ishin ndër të parët që erdhën në Shkodër për të ligjëruar, për të ndihmuar rininë shkodrane drejt rimëkëmbjes dhe kthimit tek origjina e fesë së gjyshërve e stërgjyshërve, katragjyshërve dhe paraardhësve të tyre, që e përvetësuan fenë e Zotit me zemër të pastër dhe logjikë të shëndoshë…

Bashkëmoshatarë të mi, por edhe intelektualët e sotëm muslimanë shkodranë e njohin mirë emrin e nderuar të Myftiut aktual të Gostivarit, Hfz. Shaqir ef. Fetahu. E njohin mirë emrin e nderuar të intelektualit Elez Ismaili.

Pak më vonë në kohë, kush në Shkodër nuk është mbushur me frymë e besim, teksa dëgjonte ezanin dhe ilahitë e kënduara me mjeshtri nga Hfz. Halit Ethemi, apo kush nga të rinjtë e sotëm nuk ka mësuar nga shpjegimet e urta të fesë që bënte imami dhe mësuesi i përkushtuar i Medresesë së Shkodrës, asokohe, teologu Zekerija Rushani, por jo vetëm…

Por, personalisht, me Gostivarin më me lidh edhe një emër i madh, që i bën nder jo vetëm Gostivarit, por krejt trojeve shqiptare; teologu i afirmuar, studiuesi i zellshëm dhe ez’heristi punëtor në shërbim të fesë dhe kombit, Hoxha Ahmed Mehmedi, (Drejtor i Përgjithshëm i Forumit të Rinjve Muslimanë).

U takuam me shumë përzemërsi dhe u përqafuam si dy vëllezër, që kemi një mision e një drejtim, që na bashkon një dashni e madhe dhe shumë elementë të përbashkët në thirrjen tonë, burimet e së cilës janë garanci dhe kredo për mbarë ymmetin!

5. Me ftesë të mikut dhe vëllait tim, Hoxhës Ahmed Mehmedi, isha i pranishëm në ceremoninë e përurimit të bibliotekës së pasur islame të Gostivarit, mundësuar nga Forumi i të Rinjve Muslimanë, si një pasuri intelektuale, islame dhe kombëtare, jo vetëm për studiuesit islamë të Gostivarit, por kudo qofshin ata në trojet tona.

Është pa dyshim një vepër e madhe me një peshë historike në trashëgiminë tonë kulturore fetare. Një bibliotekë, që shënon një kthesë pozitive për gjithësecilin prej nesh, që ndjehet i përfaqësuar me këtë vepër të madhe, e cila i shërben shpirtit të kombit dhe të ardhmes së tij islame.

Një bibliotekë, ku janë tubuar së bashku elita e dijetarëve dhe euridtëve të Islamit tonë, të shpirtit tonë, të traditës sonë hanefite, të akides sonë, të fikhut tonë, të tefsirit, hadithit, usulit, filozofisë, historisë së brezave të shkuar që na sollën këtë Dritë të pashuar islame deri në ditët tona, por jo vetëm.

Një bibliotekë, ku do të gjesh veprat burimore të fesë sonë, ato, që duhen ditë e muaj, vite e lodhje për t’i shfletuar, përkthyer, përpunuar dhe përhapur në mesin e brezave të rinj prej muslimanëve shqiptarë, që nuk duhen lënë të humbur në duart e prekjeve neglizhente, që nuk respektojnë të shkuarën, traditën, tabanin, origjinën, thelbin dhe shpirtin e kësaj thirrjeje të bekuar shekullore islame!

Sot, Forumi i të Rinjve Muslimanë hapi dyert e një kryevepre, që ngjan me një central Drite dhe Udhëzimi, prej të cilit do të përfitojmë të gjithë. Të paktën, Ballkanit dhe trojeve shqiptare i shtohet edhe një burim i pastër i interpretimit të kulluar të Islamit, prej ku, do të mund të merret ujë i pastër për të shuar etjen dhe thatësirat e agonive, që përjetohen sot ndër ne…

6. Ceremonia e organizuar nga Forumi i të Rinjve Muslimanë, solli edhe një risi të mrekullueshme për Gostivarin dhe mbarë kombin tonë. U përhajrua diplomimi i katër studentëve të rinj të teologjisë, që sapo kanë përfunduar studimet e larta islame në Ez’herin Sherifë, në Kajro.

E mrekullueshmja e kësaj ceremonie, në pamje të parë krejt normale, ishte fakti se me emrin e studentit thirrej edhe emri i mbështetësit ekonomik të studimeve të tij. Ai, në rolin e një vëllau të madh, i vendoste çallmën dhe i vishte xhyben… Një emocion shumë i bukur në një ceremoni të rrallë vlerash..!

All-llahu ekber! Shqiptarët kanë bërë hapa të jashtëzakonshëm në rrugëtimet e tyre shpirtërore dhe intelektuale, duke sponsorizuar studentët e teologjisë islame. Bekuar qoftë pasuria e tyre! Bekuar qoftë biznesi i tyre! Lartësuar qoftë shembulli i tyre ndër shqiptarë e përtej shqiptarëve!

All-llahu ekber! Shqiptarët kanë qëndruar besnikë të pathyer në fenë e All-llahut, edhe përtej krejt persekutimeve, ndarjes së territoreve etnike, diktaturave shkatërruese, luftrave vrastare e krimeve barbare, padrejtësive e zullumeve të panumërta, në të shkuarën e afërt dhe në të sotmen!

All-llahu ekber..!

7. Gjatë kësaj vizite të shkurtër, por shumë të pasur, pata një takim të përzemërt edhe me Myftiun e Gostivarit, H. Shaqir ef. Fetahu, në zyrën e tij. Nuk do të plotësohej mirësia e kësaj vizite dhe këtij udhëtimi në Gostivar, pa këtë takim, pa një gotë çaj në konakun e Myftiut të Gostivarit!

Diskutuam miqësisht për çështje të ndryshme, që lidhen me të sotmen e Thirrjes Islame në vendet tona, bashkëpunimet, sprovat dhe sfidat, por jo vetëm…

Këmbyem edhe botimet tona. “Minber… (50 hytbe xhumaje)” dhe “Islami, porosi universale”, dy botime të reja të këtij viti, njëri në Tiranë dhe tjetri në Gostivar.

Myftiu i Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu është një personalitet i nderuar i mendimit islam në trojet tona shqiptare. Një ligjërues elokuent, përzgjedhës i mirë i fjalës, burrë i urtë. "Ai është edukuar nën kujdesin e dijetarëve të shquar shqiptarë, Hafiz Hasan Nahi dhe Hafiz Sherif Ahmeti, përkhtyesit e famshëm të kuptimeve të Kur’anit Famëlartë. Sikurse është ndikuar dhe ka përvetësuar idetë e emrave të shquar të mendimit islam në rajonin tonë, por edhe përtej, Husejn ef. Gjozo dhe prof. dr. Ahmed Smajloviq", siç shënohet në biografinë e tij, në librin e lartcituar.

Për fund të këtyre shënimeve,

Ishte një ditë e begatë, e mbushur me emocionet e mëdha të takimit me studiues islamë, ndër më të mirët dhe më aktivët në trojave tona, pedagogë të nderuar të Fakultetit të Studimeve Islame në Shkup, mësues dhe edukatorë të Medresesë “Isa Beu” në Shkup, studentë të teologjisë islame në shkollat më të mira të botës, trashëgimtarë të ixhazeteve shekullore nga dijetarët elitarë të Damaskut e Kajros, (por jo vetëm), mbrojtës të denjë të trashëgimisë sonë hanefite dhe përçues të saj, veprimtarë të zellshëm dhe imamë të nderuar të Gostivarit, Tetovës, Shkupit, imamë dhe drejtues të qendrave islame në Zvicër, Gjermani, Austri etj.

All-llahu e begatoftë kontributin dhe shembullin e të gjithë atyre burrave të nderuar, që punojnë ditë-natë për ta mbajtur të ndezur pishtarin e Thirrjes Islame në trojet shqiptare, me nder e krenari, në harmoni dhe në bashkëpunim, në mirëkuptim dhe bashkërendim të angazhimeve plot dobi!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Gostivar-Shkodër, 30 korrik 2016