Përmes një videoje të publikuar në profilin e tij në facebook dhe youtube, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari është shprehur:
“Sot jemi më 20 nëntor 2022, dhe kjo është pamja e frikshme e përmbytjes, që ka ndodh në 24 orët e fundit, në zonën e xhamisë së Plumbit. Këtu nuk është në diskutim përmbytja e një objekti, si xhamia e Plumbit, që e kemi përzemër dhe është simbol i identitetit tonë islam e kombëtar, por është në diskutim, patjetër dhe mbi të gjitha, situata e familjeve dhe e njerëzve, në shtëpitë përreth.
Realisht kjo pamje më kujton përmbytjen e frikshme në vitin 2010, kur vinim me mjete të larta dhe ku, pothuajse ishte e pamundur të lëvizej në këto zona, dhe ku njerëzit ishin izoluar, e nuk kishin bukë e ujë dhe energji për sa e sa ditë.
Ne lutemi me zemër, që të mos përsëritet ajo fatkeqësi e atij viti, por pamja e sotme është e atillë, sa gati-gati sjell në hatër atë periudhë disaditore, në të cilën këta njerëz panë llahtar me sytë e tyre.
Allahu e bëftë mirë dhe qoftë në ndihmë të këtyre familjeve dhe njerëzve!
Edhe pse jemi në vitin 2022, nuk është zgjidhur akoma problemi i përmbytjeve të tokave të tyre. Besoj, se ky është një alarm për institucionet, që duhet ta shikojnë me shumë përgjegjësi këtë zonë, sepse është gjithçka e mundur, për t’u evituar kjo përmbytje, për t’u pastruar Buna, për t’u thelluar Buna, për t’u rregulluar argjinatura e Drinit dhe për t’u rregulluar shkarkimet e hidrocentraleve!
Zoti e bëftë mirë!”