Me ftesë të Komunitetit Shqiptar Mysliman në Bjenë të Zvicrës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në aktivitetet e larmishme që ky komunitet organizoi me rastine “Javës Kombëtare 21-27 nëntor 2022”.
Myftiu ligjëroi ditën e xhuma, më 25 nëntor 2022, nga kursija dhe minberi i xhamisë “Ebu Bekër Es-Siddik”, ku hodhi dritë mbi argumentet e shumta që e nxisin besimtarin për të dashur vendin e tij, për ta mbrojtur tokën, për të punuar me plot përkushtim mbi të në gjurmët e njerëzve më të mëdhenj të gjithësisë, të dërguarit e Allahut, që jetuan me dinjitet dhe përhapën dritën e udhëzimit për të mirën e njerëzimit deri në kiamet.
Myftiu theksoi se në jetën e muslimanit ka vend edhe për kombin dhe marrëdhëniet e dëshmuara në rrugën e sigurisë dhe harmonisë kombëtare, sikurse na e dëshmon këtë Kur’ani Famëlartë dhe traditat e Hz. Muhammedit (a.s).
Ndërkohë, në hytben e xhumasë, Myftiu Sytari dha një mesazh të prerë se kontributi më i mirë që mund të bëjmë sot për tokën tonë, për kombin dhe mbarë njerëzimin, kudo qofshim, është edukimi i fëmijëve, vajzave dhe djemve, me moralin e fesë, me edukatën islame, me dije e përkushtim ndaj Zotit, tokës dhe njeriut!
Myftiu I Shkodrës ishte pjesëmarrës me një fjalë përshëndetëse edhe në konferencën me temë: “Mbi rëndësinë e atdheut në Islam: shembuj nga historia kombëtare”, ku referuan të nderuarit Mr. Fehim Abazi dhe Dr. Besim Nuzi.
Ndërkohë, në ditën vijuese, Imam Muhamed B. Sytari, bashkë me analistin Redi Shehu dhe H. Mehas Alija (Kryetar i KMShZ), ishin referues në konferencën me temë: “Identiteti kombëtar dhe ai fetar në gjurmët e hoxhallarëve të shquar shqiptarë”. Konferenca u përmbyll me fjalët e imamit të xhamisë së Bjenës, H. Emin Odai, i cili falënderoi miqtë dhe të ftuarit, besimtarët dhe familjet e tyre, për mbështetjen dhe gjallërimin e këtyre aktiviteteve me praninë e tyre. Në veçanti u falënderuan miqtë e ardhur nga Nurnbergu i Gjermanisë dhe Gjeneva.
Aktivitetet e këtyre ditëve u zbukuruan edhe nga programi i veçantë i nxënësve të xhamisë, që nën drejtimin e mësuesit të gjuhës shqipe, Arel Bekteshi dhe kryetarit Mustafë Veseli, kënaqën dhe emocionuan të pranishmit me recitimet e tyre plot pathos dhe dlirësinë e moshës.
Gjatë qëndrimit në Bjenë, në mikpritje të kryetarit Veseli, Myftiu i Shkodrës pati rast të vizitojë edhe Muzeun e Civilizimeve Islame (Musée des civilisations de l’Islam) në La Chaux-de-Fonds.