Myftiu vizitoi Shoqatën e Para-Tetraplegjikeve Dega Shkoder
Ditën e martë, më 7 mars 2023, Myftiu Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar nga një pjesë e stafit e tij, zhvilloi një vizitë në qendrën e shoqatës së Para-Tetraplegjikë, dega Shkodër, ku u prit nga kryetari i saj, z. Saimir Beqiri.
Fillimisht, z. Beqiri i uroi mirëseardhje të ngrohtë Myftiut Sytari, të cilin e falënderoi me mirënjohje për vizitën dhe për të gjitha kontributet dhe ndihmat e vazhdueshme që Myftinia e Shkodrës ofron në raste të ndryshme për këtë shtresë në nevojë, e cila kërkon një vëmendje dhe përkrahje të vazhdueshme dhe të sinqertë nga të gjitha institucionet.
Sigurisht, se kjo vizitë shërbeu për Mytiun për t’u njohur nga afër me realitetin e kësaj shoqate, e cila sipas kryetarit të saj, përballet me shumë pengesa dhe neglizhenca të pajustifikueshme nga institucionet përkatëse të kujdesit social, sikurse u njoh edhe me gjendjen e tyre të vështirë ekonomike dhe shëndetësore.
Myftiu nga ana e tij, garantoi se Shoqata e Para-Tetraplegjikëve, dega Shkodër, që drejtohet me shumë përkujdesje nga kryetari, z. Saimir Beqiri, do të jetë pandërprerë në fokusin e aktivitetit humanitar të Myftinisë Shkodër, dhe do të ndihmohet në forma të ndryshme për gjatë gjithë vitit, sidomos në prag të muajit të begatë të Ramazanit 2023.
Në fund të vizitës, Imam Muhamed B. Sytari vizitoi disa ambiente, ku antarët e kësaj shoqate zhvillojnë edhe punë të ndryshme artizanati, edhe si një mundësi ndryshe për shfrytëzimin e kohës dhe dëshmimin e aftësive të ndryshme.