Myftiu: Medreseja jonë, gjurmë e lashtë e edukimit dhe dijes
Ditën e hënë, më 11 shtator 2023 filloi viti i ri shkollor për të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar.
Në ceremoninë e organizuar me rastin kësaj dite, në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, mbajti një fjalë përshëndetëse edhe myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.
Në fjalën e tij Myftiu falënderoi drejtuesit e Medresesë, stafin pedagogjik, prindërit dhe fëmijët për përkushtimin e tyre dhe theksoi se “Medreseja jonë është gjurmë e lashtë e edukimit dhe dijes, që nuk përkufizohet me një vit a një dekadë, as me një shekull jetë, por është vijimësi e rrugës së hapur nga Hazreti Muhammedi (a.s), i cili u porosit nga Zoti i gjithësisë, që këtë thirrje të begatë islame dhe njerëzimin ta merrte për dore drejt pastërtisë dhe zhvillimit nëpërmjet rrugëve të dijes.”
Myftiu theksoi, se “fillimi i vitit të ri shkollor është një sinjal i begatë për fëmijët tanë për të nisur një vit të ri, për t’u rritur përherë e më tepër në kërkimin e dijes, në përkushtimin e tyre ndaj Zotit, ndaj jetës, për të hedhur hapa të sigurt drejt një të ardhme më të mirë për veten, për familjen, për kombin.”