Myftiu i Shkodrës: “Të  bashkuar mund t’ i bëjmë ballë zullumit dhe të keqes!”

Myftiu i Shkodrës: “Të  bashkuar mund t’ i bëjmë ballë zullumit dhe të keqes!”

Ditën e xhuma më 1 nëntor 2024 , Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, nga xhamia e Medresesë bëri thirrje që në këtë situatë sprove për mbarë botën islame të jemi më të bashkuar përballë zullumeve dhe fatkeqësive të ndryshme që po përjetohen në vendin tonë dhe kudo.

“Pikërisht për këtë frymë të bashkëpunimit dhe të qënurit një dorë e vetme para zullumeve, para fatkeqësive dhe para çdo gjëje të padëshiruar, jemi urdhëruar në librin tonë të shenjtë e kështu urdhërohemi përgjatë gjithë rrjedhave të historisë së njerëzimit.

Nëse biem pre e zullumit dhe afetarizmit, e nëse shkojmë pas thirrjeve të kujtdo që na do larg besimit dhe rrezatimit të tij në jetën tonë, patjetër që ne do humbasim dhe do të biem në dekadencë!

A nuk jetojmë sot dhe a nuk shohim prekje të anarshisë në shoqërinë shqiptare? A nuk shohim aty-këtu që ti ke nevojë për të marrë të drejtën tënde, për të marrë atë që të takon dhe ti nuk mundesh ta kërkosh dhe nuk e arrin dot, sepse tentakulat e të keqes janë përhapur gjithandej, përtej propagandave boshe të atyre që thonë se ne kemi arritur dhe jemi bërë kulmi i botës!”

Në fund të hytbes, Myftiu bëri lutje që Allahu (xh.sh) ta mbrojë  Shkodrën nga krimi, droga, imoraliteti, si dhe të marrë fund situata e rëndë e terrorit, e gjenocidit dhe e zullumit në  vendet e Lindjes së Mesme, sidomos në Gaza të Palestinës, ku po ushtrohet dhunë e paparë dhe sistematike ndaj popullit fisnik të pafajshëm palestinez.

“I lutem Allahut (xh.sh) ta ruajë Shkodrën tonë, Shqipërinë tonë prej zullumit, prej anarshisë, prej krimit, prej drogës, prej çdo vepre për të cilën Allahu (xh.sh) nuk është razi dhe i lutem Allahut (xh.sh) të na bëjë njerëz të përgjegjshëm për të jetuar me dinjitet e për të bashkëpunuar me dinjitet!

Lutemi edhe për vendet dhe njerëzit e pafajshëm që vriten anembanë botës, që përballen me terrorin, me dhunën, ekstremizmin, me format e ndryshme të terrorizmit.

Mos ti harrojmë ata vëllezër të dashur dhe të shtrenjtë, për të cilët shumë njerëz heshtin dhe nuk guxojnë të flasin. dëshmorët e Gazës, popullin fisnik të Palestinës, por jo vetëm, që vriten dhe ushtrohet dhunë ekstreme dhe krime ndaj tyre në mënyrë sistematike.

I lutemi Allahut (xh.sh), që e mira e këtij besimi dhe e kësaj feje të përhapet dhe të gjithë ne të bëhemi fenerë ndriçues për të sotmen dhe për ata që vijnë!”

Kliko këtu për ta ndjekur hytben e plotë