Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Zotit të Vetëm të gjithësisë, i Cili thotë në Kur’anin Famëlartë: [(Përkujto, o Muhammed) Kur Zoti yt i tha melekëve: “Unë po vendos në tokë një mëkëmbës” Ata thanë: A po vendos në të atë që bën çrregullime dhe që derdh gjakun…” Ai tha: “Unë di atë që nuk e dini!”]
Të gjitha salavatet dhe selamet më të perzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës sonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), për të cilin, Zoti i gjithësisë thotë: “Thuaj: Unë jam një njeri, sikurse ju. Mua më shpallet se Një Zot është Zoti juaj…”
Të dashur dhe të nderuar besimtarë, motra dhe vëllezër,
Këto dy ajete të lartpërmendura, janë dy pika referimi për të lexuar historinë tonë, si racë humane, në qindra e mijëra vite jetë mbi këtë tokë.
Nuk ka dyshim se, ngjarjet e viteve të fundit, me të cilat është përballur bota islame dhe humanizmi në përgjithësi, po na tërheqin përherë e më shumë drejt leximit të historisë dhe rolit të njeriut mbi tokë. A e ka justifikuar njeriu veten e tij, si krijesa më e përsosur e Zotit në tokë, apo e ka humbur mundësinë e kësaj jete për të ndërtuar botën dhe jetën mbi këtë planet?
A kemi ditur ta lexojmë si duhet ajetin e “mëkëmbjes”, si përgjegjësi e gjithësecilit për ta ndërtuar jetën mbi baza të forta besimi, vlerash, humanizmi, paqeje, sigurie, mirëqeniejeje, shfrytëzimi të dhuntive hyjnore dhe pasurive natyrore për ta lehtësuar e zbukuruar jetën mbi tokë, apo kemi abuzuar, neglizhuar e djegur mundësitë e dëshmimit si krijesë e përkryer, për të cilën, Zoti i gjithësisë i drejtohet melekëve: “Unë di atë që nuk e dini!”
Ky është madhërimi më i madh që i është bërë racës njerëzore! E pason fakti, se Ma Miri dhe Ma i Shtrenjti, Hz. Muhammedi (a.s); njeriu i Paqes, Mëshira e dhuruar, ndërtuesi i të Mirës dhe nxitësi drejt saj, profeti i Tolerancës, Faljes e Harmonisë ndërnjerëzore, iu atribuua Njerëzimit: “Thuaj: Unë jam një njeri, sikurse ju…” Po Njerëzimi, a është sot, sikurse Ai?
Të nderuar e të dashur,
Ndodhitë e viteve të fundit në Siri, ato të dekadave të shkuara në atë rajon dhe ato të ditëve të fundit në Haleb, janë dëshmi të frikshme të rrëshqitjes së Njerëzimit nga boshti i Mirësisë së besimit dhe vlerave universale, që e ftojnë njeriun të jetë vëlla i njeriut; i mëshirshëm, largpamës në marrëdhëniet e tij, paqësor, i drejtë, tolerant, krenar, respektues dhe shenjtërues i të drejtave legjitime, respektues i fesë, besimit, mendimit dhe vokacionit shpirtëror të tjetrit, edhe nëse nuk është në fenë, besimin, mendimin e vokacionin e tij shpirtëror!
Nëse ju kujtohet, në shtator të vitit 2015, mbarë bota u shokua dhe u lëndua nga pamjet e djalit të mitur sirian, Alan El-Kurdi, i mbytur në bregdet… Asokohe, i ati pat deklaruar: “Dua t’ia drejtoj fjalët e mia krejt botës! Shihni gjendjen e popullit sirian dhe kini mëshirë për ta, ndihmojini dhe lehtësojuani barrën… Shpresoj që djali im i vogël Alan, të kthehet në simbol të vuajtjes, që po kalojnë sirianët”
Sot, në fundvitin e acartë 2016, fjalët e rij ngelen dëshmi zhgënjyese përballë organizmave ndërkombëtare, shteteve e politikave globale, që kanë dështuar në Siri, në Irak, në Palestinë, në Lindjen e Mesme, por jo vetëm, për të garantuar Paqen dhe Sigurinë, në trojet e vetë Paqes shekullore dhe vendlindjes së profetëve të mëdhenj të Njerëzimit!
Të dashurit e mi,
Në ditë e fundit të vitit 2013, pata shkruar se: “Viti 2013, me gjithë atë që pamë e dëgjuam, u shënua si një ndër vitet më të errëta të historisë së njerëzimit. Njeriu bashkëkohor, me gjithë arritjet në teknologji, shkencë, mjekësi e shumë lëmi të tjera, u dëshmua si model xhungle, pa shpirt, pa mëshirë, pa vlera, plot injorancë e imoralitet!
Njeriu i vitit 2013 dështoi në rrugën e vërtetimit se është i denjë të dëshmojë vëllazërinë e shenjtë humane, atë për të cilën Zoti i njeriut, nëpërmjet Librave të Shenjtë, e ka ftuar atë ta dojë e ta respektojë vëllanë e tij human, të dojë për tjetrin atë që do për vete, të mos punojë pas krahëve, të mos vrasë, të mos bëjë tregëti me imoralitetin etj.
Me veprën e tij, njeriu bashkëkohor i vitit 2013 vërtetoi dekadencën dhe rrugëtimin në labirinthet e errëta të injorancës dhe fanatizmit ekstremist e vrastar, pa mëshirë e dhembshuri, pa ndjenja njerëzore…
U bombarduan qytete e fshatra, për faturë të një qytetërimi të dështuar e një sistemi të ri dështak në rrugën e rritjes së cilësisë së jetës mbi Tokë!
Mbetën jetimë me mijëra fëmijë të pafajshëm, sidomos në botën islame e atë arabe, në përmbushje të axhendave politike të krimit, vrasjes e shfarosjes së Tjetrit, në një botë pa drejtësi, pa shpirt, pa besim, pa frikë për një ditë llogarie!
…
Cila është zgjidhja e këtij ngërçi, në të cilin ka hyrë njeriu i shekullit të ri, duke u dëshmuar pa shpirt e pa ndjenjë, pa zemër e pa moral? Është e njëjta zgjidhje, si ajo që përherë njeriu e ka pasur në dorë; kthimi nga Zoti, Krijuesi i njeriut, krijuesi i tanësisë. Vetëm Ai nuk na e ka me hile!”
Tashmë po mbaron edhe viti diellor 2016. Një njollë tjetër e madhe pabesie, turpi e denigrimi i shtohet racës njerëzore në ndërgjegjen e saj; bombardimet e frikshme të qyteteve siriane, krimet e llahtarshme ndaj njerëzimit në Irak, spastrimet etnike e fetare me një dhunë ekstreme e plot terror në Burma, shkeljet e të drejtave të njeriut gjithandej nëpër botë!
Sot, më shumë se kurrë Njerëzimi ka nevojë per lutjet tona! Halebi ka nevojë për lutje e shpresë! Siria ka nevojë për lutje e Dritë në fund të tunelit! Lindja e Mesme e krejt bota ka nevojë për një rrugë të re për të ndjekur, pasi u vërtetua botërisht se rrugëtimet e deritanishme, larg fesë dhe Zotit, në armiqësi me Paqen dhe Mëshirën, e çuan botën në greminat e shkatërrimit!..
O Zot, zbrit mëshirë e falje mbi ne!
All-llahumme na kthe nga feja e Jote dhe udhëzimi Yt, me bekimet Tuaja mbi ne, ja All-llah!
All-llahumme mëshiroje popullin martir të Sirisë, atë të Irakut, Palestinës, e të gjithë ato shoqëri islame, ku dhuna dhe terrori godet mbi kokat e tyre në këtë katrahurë të frikshme, që s’e ndal gjë veç Dorës Tënde!
All-llahumme bëji këto fatkeqësi globale, sinjale zgjimi për mbarë Ymmetin Islam, na forco në besim, shtoje harmoninë e vëllazërinë në mes nesh, shtoje dashamirësinë dhe altruizmin në mes nesh dhe bekoje ditën e natën e krejt atyre që rrugëtojnë drejt Teje në kërkim të udhëzimit, mëshirës, faljes e paqes, ja All-llah!
All-llahumme bekoje tokën shqiptare, ruaje harmoninë e besimin në mesin e shqiptarëve, forcoje vëllazërinë në mes nesh dhe na udhëzo drejt respektimit të Fjalës Tënde dhe qëndrimit besnikë ndaj Besës shekullore të baballarëve tanë të shkuar!
Vel-hamdu lil-laji rabbil-alemine!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbeja e mbajtur, më 16 dhjetor 2016, në xhaminë e Parrucës, Shkodër)