Një ditë e veçantë gëzimi për muezinin e xhamisë së Urës së Bunës
Pasdreken e së enjtes, më 5 dhjetor 2024 Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim të posatshëm muezinin e xhamisë së Urës së Bunës, z. Altin Bajrami së bashku me imamin e xhamisë, H. Ridvan Luzaku dhe imamin e xhamisë së fshatit Zues, H. Enes Alushi, në prag të nisjes së muezinit të nderuar për kryerjen e Umres.
Kjo Umre vjen si një dhuratë mirënjohjeje nga Myftinia Shkodër për kontributin dhe shërbimet e kahershme të z. Altin Bajrami në xhaminë e Urës së Bunës, ku prej kohësh ai shërben me përkushtim të madh duke i qëndruar pranë xhamisë dhe xhematit në adhurimet ditore.
Gjatë këtij takimi të përzemërt, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari e përhajroi muezinin e nderuar dhe uroi që udhëtimi i tij të jetë i mbarë dhe kjo eksperiencë e re të jetë një moment i bekuar në jetën e tij.
Myftiu e shoqëroi bisedën e tij me disa këshilla të vyera për muezinin e nderuar dhe njëkohësisht u lut, që zotëria e tij së bashku me vëllezërit e tjerë që e shoqërojnë në këtë udhëtim të kalojnë ditë të mbushura me mirësi, lutje të pranuara dhe adhurime plot dritë në vendet më të mira të globit.