
Muslimanët e Shkodrës dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë
Ditën e xhuma, më 13 qershor 2025, pas namazit të xhumasë, në xhaminë “Ebu Bekër”, Fushë Çelë, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dega Shkodër organizuan fushatën e dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë dhe të sëmurët e ndryshëm që kanë nevojë për këtë ndihmë njerëzore.
Imamë dhe besimtarë të shumtë kanë dhuruar nga gjaku i tyre, duke dhënë kështu një mesazh me vlerë dhe sensibilizim të rëndësishëm, në shpëtim të jetës dhe në ndihmë të sëmurëve të ndryshëm, që vuajnë nga mungesa e gjakut.
Para mediave të pranishme, H. Lavdrim Hamja theksoi se kjo fushatë e dhurimit të gjakut, në origjinë është urdhër kur’anor dhe porosi e të Dërguarit të Allahut (a.s). në Kur’anin Famëlartë, Allahu i Madhëruar na thotë: “Kush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar krejt njerëzimin!”, ndërsa Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Allahu është në ndihmë të robit të Tij, për sa kohë ai është në ndihmë të vëllait të tij!” Asnjëri prej nesh nuk duhet të hezitojë që t’i përgjigjet fushatave të tilla, të cilat ndihmojnë në shërimin e fëmijëve dhe njerëzve të sëmurë, të cilët kanë nevojë për gjakun tonë – u shpreh teologu Hamja.
Ndërsa, koordinatorja e Dhurimit të Gjakut, znj. Vera Gjinaj, përpara mediave, ndër të tjera ka falënderuar besimtarët që janë veteofruar për të dhuruar gjak si dhe Myftininë Shkodër për bashkëpunimin dhe promovimin e këtij akti sublim për shpëtimin e jetëve njerëzore.
Myftinia Shkodër falënderon të gjithë ata që iu përgjigjën thirrjes së saj, sidomos të rinjtë, që nuk hezituan për t’u bërë pjesë e kësaj tradite bamirëse dhe njerëzore, në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe njerëzve të sëmurë.