Ditën e xhuma, më 22 shtator 2017, nëpërmjet një bashkëbisedimi në Star Plus Tv, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, foli mbi përjetimet dhe përvojën e kaluar gjatë ditëve të Haxhit të sivjetshëm.
Fillimisht, Myftiu uroi krejt haxhilerët e këtij viti dhe familjarët e tyre për këtë mirësi të madhe, që e konsideroi si bekim edhe për Shkodrësn dhe mbarë Shqipërinë.
Ai tha se pa asnjë dyshim, udhëtimi në vendet e shenjta, mbetet “udhëtimi i jetës”, për këdo që i është mundësuar kryerja e Haxhit apo Umres.
Myftiu tha se mbi tre mijë shqiptar nga mbarë trojet tona dhe diaspora, ishin atje, në më të mirat vende të botës, duke dëshmuar faktin se shqiptarët i kanë qëndruar besnikë fesë islame dhe se mësimet dhe shpirtin e tij, ata e kanë kthyer në model jete, që shihet shumë bukur në ditët e Haxhit.
Ai përmendi se, përjetimet e Haxhit janë të papërshkrueshme dhe se çdo haxhi ka momente të shumta, nëpërmjet të cilave ai shijon bukurinë dhe ëmbëlsinë e adhurimit para Qabes, në Arefat, në Mina, në Muzdelife, në Medine dhe shumë e shumë stacione të tjera, ku përtëritet besimi dhe shtohet dashuria për All-llahun dhe të Dërguarin e Tij.
Myftiu konfirmoi se ditën e Arefatit janë bërë lutje të shumta edhe për Shkodrën dhe Shqipërinë, besimtarët dhe qytetarët e këtij vendi, që ky vend të kthehet nga besimi dhe të gjejë qetësinë dhe mirëqenien në hapësirat e tij.