Tashmë e kthyer në traditë, trajnimi dhe përcjellja e haxhilerëve të Shkodrës, sa vjen dhe përmirësohet dhe merr formë përherë e më tërheqëse, me qëllimin e vetëm të shërbimit ndaj miqve dhe të ftuarve të All-llahut të Madhëruar, bazuar në fjalën e madhe të Hz. Muhammedit (a.s.), që thotë: “Haxhilerët dheumrexhitë janë të ftuarit e All-llahut…”.
Nga kjo dëshmi, Myftinia Shkodër është e angazhuar që të ofrojë sa më shumë shërbime që i paraprijnë udhëtimit të begatë të haxhilerëve tanë të nderuar.
Këtë vit, programi do të shtrihet në periudhën 22-27 korrik 2019, gjatë së cilës, të regjistruarit për Haxhin e sivjetshëm, do të kenë mundësi të përfshihen në përshpirtjen e prag-udhëtimit të shumëpritur prej tyre.
Sipas programit, ditën e hënë, më 22 korrik 2019, në orën 9.00, në xhaminë e Parrucës do të zhvillohen dy ligjërata, me një pushim në mes, ku do të diskutojë Imam Muhamed B. Sytari dhe trajnuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Ruzhdi Plangaj.
Ditën e martë, më 23 korrik 2019, në orën 9.00, në të njëjtin vend, do të diskutojë teologu Idmir Plaku, si dhe teologu Ruzhdi Plangaj.
Ditën e mërkurë, më 24 korrik 2019, në orën 9.00, në xhaminë e Parrucës, teologia Ferzet Ndoja do të zhvillojë një shpjegim të rregullave të Haxhit, posaçërisht për motrat.
Ditën e enjte, më 25 korrik 2019, në orën: 9.00, në xhaminë e Parrucës, do të zhvillohet një bashkëbisedim i hapur me haxhilerët, ku do të diskutojë kryetari i grupit të haxhilerëve të Shqipërisë për këtë vit, teologu Lauren Luli, si dhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj.
Ditën e xhuma, më 26 korrik 2019, ora: 12.30, në xhaminë e Parrucës, bëhet shpërndarja e ihrameve, ndërsa pas xhumasë, përshëndetja me haxhilerët.
Po atë ditë, në orën: 19.00, në Grand Hotel Europa, do të zhvillohet promovimi i librit “Lebbejke..!”, nga Imam Muhamed B. Sytari.
Ditën e shtunë, më 27 korrik 2019, ora: 18.30, në kinema “Millenium” do të shfaqet filmi dokumentar me titull: “Rruga për në Mekë”. Ftesa për të ndjekur këtë prodhim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, është e hapur.
Gjatë javës së ardhshme, do të lajmërohet edhe dita dhe ora e caktuar për përcjelljen e haxhilerëve të këtij viti.
Lutemi që All-llahu i Madhëruar t’i japë mbarësi e sukses haxhilerëve, si dhe të na mbulojë me mëshirë e bekim!