Pas përfundimit të ceremonisë së faljes së Kurban Bajramit, ditën e diel, më 11 gusht 2019, siç është bërë traditë për çdo vit, Myftinia Shkodër organizoi pritjen tradicionale të miqve dhe vizitorëve, të cilët vijnë për të uruar festën e begatë të Kurban Bajramit.
Një përfaqësi e përbërë nga imamët dhe këshilltarët të Myftinisë Shkodër, nën drejtimin e teologut Arben Halluni, në mungesë të Myftiut, Imam Muhamed Sytari, për arsye se ndodhej në Haxh, kanë pritur me këtë rast, në xhaminë e Parrucës, miqtë dhe vizitorët, si dhe autoritetet fetare dhe lokale, të cilët erdhën për të uruar këtë ditë të bekuar të festës së sakrificës, Kurban Bajramin.
Nuk ka dyshim, se kjo traditë e bukur dhe me vlerë e urimit të festave të ndërsjella ndërfetare, nxjerr në pah frymën e harmonisë fetare të Shkodrës, që me të vërtetë është një gjurmë e çmuar e traditës së respektimit të fesë së njëri-tjetrit.
Myftinia Shkodër, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë promovuese e vlerave të harmonisë, bashkëjetesës dhe vëllazërisë njerëzore, dhe lutet që Shkodra dhe qytetarët e saj të kenë begatitë dhe mirësitë e Zotit të gjithësisë.