Paraditën e të martës, më 3 nëntor 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt, drejtorin për Ballkanin e “Komisionit për Evropën dhe dy Amerikat”, në Kuvajt, z. Mahmud En-Nexhdi, që shoqërohej edhe z. Samed Shehu, drejtor i Fondacionit “Mirënjohja”.
Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu i shprehu mikut të nderuar nga Kuvajti vlerësimet dhe mirënjohjen e tij për kontributet e mëdha që Shteti i Kuvajtit ka dhënë dhe vazhdon të japë në Shkodër e Shqipëri, duke dëshmuar shpirtin e madh të bamirësisë, me të cilin karakterizohet populli kuvajtian.
Njëkohësisht Myftiu falënderoi bashkëpunimin e dëshmuar me fondacionin “Mirënjohja”, që bëri të mundur edhe garantimin e projektit për xhaminë e re në lagjen Kiras.
Myftiu dhe z. Mahmud En-Nexhdi diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit, ku dënuan abuzimin që i bëhet imazhit të fesë islame, duke ia faturuar asaj veprimet e dënueshme të dikujt, që përpiqet të shëmtojë imazhin e fesë islame, sidomos në perëndim.
Bashkarisht, ata vizituan edhe xhaminë e re të Kirasit, ku po bëhen edhe punimet e fundit për kët kompleks të ri islam në qytetin e Shkodrës dhe që së shpejti do të inaugurohet, në kuadër të 30 vjetorit të rihapjes së xhamisë së parë në Shkodër e Shqërisë.