Ditën e martë, më 23 mars 2021, në xhaminë e Parrucës, pas namazit të iqindisë, me rastin e 14 vjetorit të përurimit të xhamisë së Parrucës: 23 mars 2007 – 2021, Myftinia Shkodër organizoi aktivitetin me temë: “Pozita dhe rëndësia e xhamisë në Islam”.
Krahas besimtarëve të moshave të ndryshme, merrnin pjesë imamë, teologë, këshilltarë, etj.
Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Shkodrës, në ligjërimin e tij, ndër të tjera tha: “Dita e sotme përkujtimore nuk është një ngjarje e zakonshme, sepse para 14 viteve kjo qendër e madhe shpirtërore u rindërtua në të njëjtin vend dhe në të njëjtën pozitë, ku 40 vite më parë u prish dhe u shkatërrua nga ata që nuk besojnë në Zot dhe as nuk besojnë në jetën e amshuar…”.
Myftiu falënderoi të gjitha ata që kanë kontribuar dhe ndihmuar në kthimin e identitetit të kësaj xhamie madhështore, sikurse falënderoi imamët, muezinët dhe këshillin e xhamisë që mirëmbajnë këtë ngrohtësi shpirtërore…
Në vijim ligjëruan Hfz. Ensar Ismalaj, diplomuar në Medine, Arabia Saudite si dhe H. Besim Barbullushi, diplomuar në Bursa, Turqi, të cilët përcollën mesazhe dhe këshilla të rëndësishme për xhaminë, shtëpia e Zotit, ku duhet të kuptohet si vend ku formohen personalitete të pastra dhe të sinqerta njerëzore.
Ligjëruesit e nderuar vunë theksin, se xhamia i tubon njerëzit, i bashkon dhe i edukon me frymën e vërtetë dhe të drejtë islame. Aty mund të hyjnë njerëz të të gjitha kombeve, ngjyrave dhe racave. Ajo i bashkon të gjithë popujt, pa bërë asnjë lloj diskriminimi në mes njerëzve.
Aktiviteti u transmetua live në facebook nga profili zyrtar i Myftinisë Shkodër.