Lozanë, shfaqet dokumentari i 25 vjetorit të lirisë së besimit

Mbrëmjen e së shtunës, më 8 tetor 2016, në kuadër të tribunës fetare në përkujtim të Hixhretit 1438, organizuar nga Qendra Islame Shqiptare në Lozanë të Zvicrës, u shfaq pë herë të parë edhe dokumentari me titull: "Triumfi i zanit të minareve...", prodhim i Myftinisë Shkodër, me rastin e 25 vjetorit të lirisë së besimit.

Në prag të shfaqjes së dokumentarit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, tha për të pranishmit e shumtë se, dokumentari në fjalë është një përpjekje për të nxjerrë në pah dhimbjen dhe absurditetion e diktaturës ateiste dhe luftën e saj të hapur kundër Islamit dhe muslimanëve në Shqipëri, sikurse dëshmon edhe faktin se thirrjet e shpirtit dhe "zanin e minareve", nuk ka forcë, pushtet e diktaturë në botë që ta mposhtë.

Shfaqja e dokumentarit u shoqëria me emocione dhe thirrje tekbiresh nga të pranishmit. Të shumtë ishin që u përlotën, sidomos gjatë shfaqjes ekskluzive të pamjeve të rralla të datës historike 16 nëntor 1990, kur te Xhamia e Plumbit u zhvillua ceremonia madhështore e faljes së xhumasë në liri, pas 23 viteve persekutim, dhunë dhe terrorizëm shtetëror kundër muslimanëve dhe jetës fetare në Shqipëri.

Në përfundim të kësaj shfaqjeje me vlera, Kryetari dhe imami i Qendrës Islame Shqiptare në Lozanë, Fehim ef. Abazi, pasi falënderoi Myftiun e Shkodrës për praninë e tij dhe dokumentarin e përgatitur, theksoi se emocionet e përjetuara në këtë mbrëmje duhet të shërbejnë si një nxitje më shumë për të parë secili në pasqyrën e zemrës, për të rritur besimin dhe për të shtuar kapjen pas fesë tonë të shtrenjtë islame.