Një ditë mbresëlënëse në Kompleksin e xhamisë së Golemit, Kavajë

Ditën e enjte, më 26 tetor 2017, një grup imamësh dhe këshilltarësh të Myftinisë Shkodër, vizituan Kompleksin bashkëkohor të xhamisë së re të Golemit në Kavajë, me rastin e aktivitetit me temë: "Islami dritë për zemrën", ku ligjëroi Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër.

Pas disa ndalesa të këndshme, namazeve dhe vizitës në kompleksin shumëfunksional të kësaj xhamie të pashoqe në Shqipëri, imamët u takuam edhe me imamë e thirrës islamë të Kavajës, si dhe me Myftiun e saj, H. Besnik Leçini.

Në aktivitetin e mirëorganizuar, ligjëruan dhe përshëndetën edhe të ftuar nderi nga Arabia Saudite, Myftiu i Kavajës dhe imami i kësaj xhamie, njëkohësisht organizatori kryesor i këtij tubimi me vlerë, z. Gëzim Shahu.

Ndërkohë, në ligjëratën e tij, Myftiu i Shkodrës, vuri theksin tek domosdoshmëria e rileximit të Kur'anit dhe traditave profetike, për të vendosur një marrëdhënie të ekuilibruar ndërmjet fesë dhe elementëve të tjerë në jetë.

Ndër të tjera theksoi: "Ne sot, jemi të ftuar ta jetojmë Islamin tonë, larg frikësimeve që i bëhen botës me emrin e tij, duke e keqpërdorur etiketën islame aty-këtu; herë nga jashtë e po aq nga brenda familjes islame!

Nuk janë të fshehta për krejt ju sot, etiketimet mjerane që i atribuohen fesë islame nga perëndimi, por jo vetëm.

Terma të tilla të papranueshme dhe krejtësisht të refuzueshme, si: “terrorizmi islam”, “ekstremizmi islam” e të ngjashme, kanë mjegulluar jo pak arsyen e shëndoshë të botës sonë, mbarë njerëzimit, që gjithësesi, nuk mund të vijojë rrugëtimet e hutuara, mbi këtë sokak të pasigurtë dhe mashtrues, përballë të vërtetave të vetë fesë sonë islame!

Jo më pak të dëmshme nga këto sulme politike dhe mediatike, (që përveçse kanë abuzuar me të vërtetat e fesë sonë, kanë kthyer edhe një pjesë të mirë të gjeografisë së ymetit islam në gërmadha lufte e shkatërrimi në masë), janë izolimet sektare brenda familjes, ku çdo grup e sekt, e sheh veten si “grupi i shpëtuar”, pos së cilit, të gjithë janë të njollosur në besim e fé! Ky është mjerim mbi mjerimin!

Kësisoj, sot, ne kemi nevojë të çlirohemi nga përkatësitë sektare dhe influencat e politikave të huaja, për t’u kthyer nga Islami ynë dhe ekuilibrat e tij, që na dhurojnë krenari e dinjitet, vlerat më të larta të harmonisë komunitare, elementët më të spikatur të vëllazërisë së sinqertë islame, në burim të së cilës qëndron ajeti i vëllazërisë!"

Aktiviteti u ndoq nga një numër i madh të ftuarish, kryesisht mosha e re, si dhe media vizive.