Përfaqësues të Myftinisë Shkodër zhvillojnë vizita për festën e Krishtlindjes

Përfaqësues të Myftinisë Shkodër, H. Fejzi Zaganjori, teologu Arben Halluni dhe imam Lavdrim Hamja zhvilluan ditën e martë, më 25.12.2018  vizita për festën e Krishtlindjes në Kishën Ortodokse Shkodër dhe në Arqipeshkvinë Metropolitane Shkodër-Pult, të cilët u pritën nga drejtuesit e dy kishave, At. Aleksandër Petani dhe Mon. Sing. Angelo Masafra.

Në emër të Myftinisë dhe Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, H. Fejzi Zaganjori përcolli urimin me rastin e kësaj dite, duke i uruar besimtarëve ortodoksë dhe katolikë lindjen e Jezusit {Hz. Isait (a.s)}.

Ndërsa përpara mediave, me këtë rast ka uruar teologu Arben Halluni, ku në emër të Myftinisë Shkodër uroi për më shumë harmoni e mirëkuptim në mes besimtarëve dhe të gjithë njerëzve kudo në botë. Nën atmosferën e festave fetare duhet që t’i lejet më shumë vend paqes e mirësisë, faljes dhe përulësisë, – tha më tej teologu Halluni. Ai në mesazhin e tij,  para mediave iu drejtua me një thirrje për të gjithë atyre që janë në gjakmarrje, që të shtrijnë dorën e pajtimit dhe të falin për hir të Zotit Fuqiplotë, sepse askush nuk ka të drejtë të cenojë apo dhunojë jetën e tjetrit.

Këto vizita shprehin qartë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare që ekziston mes tri besimeve fetare në Shkodër.