Myftiu takoi imamët e zonës Bushat

Paraditën e së mërkurës, më 3 mars 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me imamët e zonës Bushat, me të cilët diskutoi rreth problematikave të aktivitetit dhe dha mesazhin e tij me rastin e fillimit të Tre Muajve të Mirë.

Myftiu informoi imamët me iniciativën e ndërmarrë, për të takuar imamët e krejt zonave, ku përveç udhëzimeve dhe mesazheve, trajtohen edhe shqetësimet e ndryshme të imamëve tanë.

Imamët e xhamive: Barbullush, Bushat, Rrushkull, Shirq, Krye-Bushat, Luarëz, etj., shfaqën shqetësimet e tyre, që lidhen kryesisht me infrastrukturën dhe neglizhencën e autoriteteve ndaj zonave me banorë muslimanë, ndër dekada, ku akoma sot, në vitin 2021, nuk ka rrugë të shtruara e të ndriçuara, që lidhin lagjet me xhaminë.

Myftiu theksoi se realitete të tilla janë të papranueshme dhe dëshmi e një frymë të keqe, prej së cilës vendi duhet pastruar dhe, së bashku me të edhe mendësia e trajtimit të projekteve madhore mbi bazën e kapriçove dhe tendencave me nuancë fetare, ç’ka është evidente në Shkodrën e pas vitit 1990.

Myftiu dha udhëzimet e tij edhe në lidhje me ligjërimin fetar dhe shfrytëzimin e hytbes së xhumasë për sensibilizimin e masave me frymën e besimit dhe dinjitetit islam.

Myftiu dhe imamët e pranishëm vizituan edhe xhaminë e Bushatit dhe qendrën islame atje, ku falën së bashku edhe namazin e mesditës.